Sot u raportua në media për një incident që ka ndodhur te parkingu i pompës së derivateve “Shell” në Pejë, ku disa të rinj janë përfshirë në një përleshje fizike me njëri – tjetrin, ku dyshohet se është përdorur edhe arma pas një mosmarrëveshje në trafik.
Katër persona kanë përfunduar në Polici lidhur me këtë rast dhe ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit lidhur me këtë rast janë Doan Musaj, Endrit Lajqi, Armend Syla dhe Eliot Lajqi.
Ndaj dy të dyshuarve të parë është nxjerrë aktvendim për ndalim policor, teksa ndaj gjithë grupit janë iniciuar raste për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit te rrezikshëm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se nisi teksa palët ishin në lëvizje e sipër me veturat e tyre, kur nisi mosmarrëveshja mes tyre dhe vazhdoi deri te parkingu i pompës së derivateve “Shell”.
Katër të dyshuarit janë kapur me dy viktimat dhe gjatë rrahjes, i dyshuari Endri Lajqi ka shtënë me armë zjarri – duke eskaluar kështu situata.
Për shkak të lëndimeve që kanë pësuar, dy viktimat janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërkaq Policia ka arritur t’i arrestojë të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se njësitet policore kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit që gjuajti me armë, ku është gjetur revolja e përdorur gjatë incidentit.
Katër të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.