Në dy komuna të vendit mund të ketë përmbysje të rezultatit pas numërimit të votave të diasporës. Bëhet fjalë për Dragashin dhe Junikun, ku rezultati është tepër i ngushtë.
Në Junik dallimi është vetëm 29 vota. Kandidati i LDK’së, Ruzhdi Shehu, ka 1 mijë e 199 vota, derisa ai i AAK’së, Agron Kuqi ka 1 mijë e 170 vota.
Këtë rezultat mund ta përmbysin 670 votat e mërgimtarëve.
Rezultati mund të ndryshojë edhe në Dragash me votat e 308 mërgimtarëve.
Dallimi mes vendit të parë dhe të dytë në këtë komunë është vetëm 47 vota.
Shaban Shabani i PDK’së ka 5 mijë e 648 vota, kurse Behgjet Xheladini i LDK’së ka 5 mijë e 601 vota.
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot do të fillojë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Express se këto vota iu takojnë 19 komunave.
Ai bëri të ditur se procesi i numërimit do të fillojë në orën 16:00.
“Sot, në orën 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë dhe që u takojnë 19 nga 21 komunat ku është mbajtur raundi i dytë”, ka deklaruar Elezi.
Elezi tha se janë 1 mijë e 571 pako të supozuara me fletëvotime.
“Shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako”, ka deklaruar Elezi./Gazeta Enigma/