Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që “të përmbahen nga retorikat përshkallëzuese”.
“Kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative. Qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar pamje nga droni në të cilat shihen disa pjesëtarë të ushtrisë serbe, të cilat i ka cilësuar si jo normale.
Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm se “Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.
“KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt. Qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
“Po punojmë me qeveritë për të gjetur zgjidhje. Vuçiqi e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Çështja është se të dyja palët duhet të punojnë. E kemi bërë të qartë që individët që morën pjesë në sulmin e shtatorit (në Banjskë) duhet të dalin para drejtësisë dhe kjo do të bëhet”, u shpreh O’Brien.
KFOR-i, tutje ka thënë se do të vazhdojë të ofrojë siguri në Kosovë.
“Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë – ndër të tjera – patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe dialogun e rregullt me një gamë të gjerë homologësh, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Shtabit të Armatosur të Serbisë, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, OSBE-ja dhe trupi diplomatik Për më tepër, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë. Duke vepruar kështu, KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha KFOR-i.