Ushtria serbe afër kufirit, Kurti: Po e shikoj telefonin, deri në ora 16:00 s’janë afruar më

Ushtria serbe afër kufirit, Kurti: Po e shikoj telefonin, deri në ora 16:00 s’janë afruar më

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe sot për lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe se gjithçka është nën vëzhgim. Sipas tij, këto institucione përgjegjëse po i informojnë edhe partnerët e vendit për sigurinë.

“Kur ka situata të këtilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake afrohen afër kufirit, ne i përcjellim me vëmendje nëse po synojnë ta kalojnë kufirin. Janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë. Në ndërkohë, natyrisht që këto institucione diskutojnë, bashkëbisedojnë dhe njoftojnë partnerët tonë ndërkombëtarë. Edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE-në ma lart”, tha Kurti të premten para gazetarëve.

Kurti gjatë konferencës tha se deri në orën 16:00, kur po fliste para mediave, nuk ka pasë ndonjë lëvizje afër kufirit.

“Tash deri në orën 16:00 sepse jam duke e shikuar telefonin derisa po flasim këtu për media s’ka asnjë dëshmi që sot janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por ato s’mbahen 10 metra larg kufirit. Pra, ata po vijnë shumë afër kufirit ku s’ka nevojë as për dronë e as për dylbi për t’u parë me njëri-tjetrin. Nëse dëshiron normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma dhe jo te kufiri”, tha Kurti.

Related Articles