Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka pritur të enjten në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajári.
Fillimisht, Rama i uroi Kajarit detyrën e re si dhe e falënderoi për angazhimin e KFOR-it në funksion të sigurisë së përgjithshme në Kosovë.
Gjeneral Rama, më pastaj e njoftoi gjeneral Kajárin, për të arriturat e përgjithshme të FSK-së, duke shtuar se të gjitha kapacitetet operacionale të FSK-së zhvillohen sipas standardeve të NATO-s, në mënyrë që të jenë të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s.
Nga ana e tij, Kajari shprehu vlerësimin e tij për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe theksoi përkushtimin e KFOR-it për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të deritashëm me FSK-në, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Të dy gjeneralët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit sikur edhe deri më tash, me qëllim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë për ballafaqim me sfidat e përbashkëta. /Gazeta “Enigma“/