Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës mbrëmë në një plazh të Velipojës. Për shkak të një konflikti të çastit mes dy pronarëve të dy bizneseve që lidhej me hapësirën rreth plazhit, rrjedhimisht për shezlonget, 4 persona mbetën të vrarë.
Mediat në Shqipëri kanë raportuar se paraprakisht Kujtim Ferracaku, pronar i restorant “Fantazia” është konfliktuar me pronarët e hotel “Gocaj” për shezlonët në plazhin e Velipojës.
Si pasojë ka mbetur i vrarë biznismeni Kujtim Ferracaku, 59 vjeçar, dy vëllezërit Xhovani Gocaj 25 vjeçar dhe Edmond Gocaj 38 vjeçar si dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli 20 vjeçar.
Sipas Policisë së Shqipërisë, ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë. Kurse të plagosur kanë mbetur edhe dy persona, Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli.
Detaje të reja nga vrasja e katërfishtë në Velipojë
Detaje të reja zbardhen nga ngjarja e rëndë me katër të vdekur dhe dy të plagosur në Velipojë.
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë si të përfshirë në ngjarjen e rëndë të cilët dyshohen se ishin bashkë me vëllezërit Ferracaku. Ndërkohë janë rreth 20 persona të shoqëruar deri më tani si shtetas që mund të kenë dijeni të mëtejshme rreth konfliktit që çoi në përplasjen me armë mes vëllezërve Ferracaku dhe Gocaj. Po ashtu mësohet se në këtë ngjarje mund të jenë përdorur deri në 6 armë.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë shqiptare, në këtë konflikt kanë vdekur katër persona teksa janë plagosur edhe katër të tjetër.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë në Pulaj Plazh, teksa në mesin e të vrarëve është edhe një 20-vjecar.
Njoftimi i Policisë së Shqipërisë:
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç. Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.
Çfarë thanë familjarët e viktimave?
Menjëherë pasi kanë mësuar lajmin të parët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes në një rrugicë mes dy bizneseve të palëve të përfshira ishin familjarët në britma dhe lot.
Pjetër Gocaj, babai i dy djemve të vrarë mbrëmjen e djeshme në hotelin e familjes Gocaj në Velipojë pas një konflikti me armë, ka folur këtë të diele për mediat duke treguar se përplasja ka ndodhur për shezlonget.
“Shezlonget i kam vendosur që në qershor po në sipërfaqen ku i kam pasur vjet. Gjatë qershorit ka filluar ndarja. Unë nuk mund të kundërshtoj asgjë sepse të gjitha janë me dokumente. Ne i kemi vendosur shezlonget përpara se të bëhej ndarja nga shteti dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata. Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt, mua më është fikur dera e shtëpisë”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se dy djemtë e tij ia vranë para derës së shtëpisë.
“Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin që ishte me dokumente angleze i cili ka ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu, por nuk kanë ardhur për të folur përderisa kanë ardhur me armë tek dera e shtëpisë. Uroj mos t’i ndodhë më askujt”, ka rrrëfyer ai.
Ndërsa, edhe Myzerim Zeneli vetëm 20-vjeç është njëri prej viktimave në Velipojë.
Dje ishte dita e parë e punës për 20-vjeçarin si kamerier në hotelin “Gocaj” dhe fatkeqësisht dita e parë e punës së tij përfundoi të ishte dita e fundit e jetës.
Gjatë momentit kur dy familjet Ferrcaku dhe Gocaj filluan konfliktin me armë i pranishëm ka qenë dhe 20-vjeçari, i cili ka marrë disa plumba dhe ka humbur jetën.