Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me të akuzuarit nga Gjykata Speciale që gjenden në paraburgim në Hagë.
Ai në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
“Po po komunikojmë kur ata po na thërrasin. Mirë janë me shëndet. Na tregojnë që të gjithë janë mirë. Ata çka ata i shohin dhe që i shohim edhe ne seancat gjyqësore nuk kemi çfarë të bisedojmë sepse si i shohim ne i shohin edhe ata”, ka thënë Klinaku.
Klinaku theksoi se ai asnjëherë më nuk është kontaktuar nga prokuroria në Hagë lidhur me çështjen për të cilën po akuzohen Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
“Nuk më kanë kontaktuar dhe për këtë çështje janë çuditur edhe avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt se pse ata nuk më kanë kontaktuar dhe nuk kanë bërë as hetim përveç kohës së arrestimeve me 25 shtator 2020”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë do të bëjnë në rast se ju vinë sërish dokumente të tilla, ai tha se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe veprimet do të jenë si më parë.
“Të njëjta. Qëndrimi jonë është i njëjtë. Natyrisht që në ato urdhëresat që i kanë sjell vazhdimisht tri herë janë urdhëresa që nuk guxoni t’i mbani, nuk guxoni t’i fotokopjoni dhe nuk guxoni t’i publikoni dhe ne nuk dimë se çfarë zgjedhje kemi tjetër. Ne Gjykatën Speciale nuk e njohim dhe ne vetëm e kemi për obligim që ta informojmë publikun në konferenca për gazetarë që janë bërë si gjithmonë për interesin e qytetarëve”, ka thënë ai në “Frontal”.