Rënia e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale – “Jemi dëshmitarë të skandaleve të VV-së e mospunës së tyre”

Rënia e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale – “Jemi dëshmitarë të skandaleve të VV-së e mospunës së tyre”

“Jemi dëshmitarë të skandaleve të VV-së e mos punës së tyre. Ata po kërkojnë kohë, e koha do ta dëshmoj më së miri arrogancën e tyre në pushtet ashtu siç u dëshmua më 17 tetor”.



Kështu ka thënë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku për Gazetën Enigma kur është pyetur për rënien e VV-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, krahasuar me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Qasja në opozitë dhe në pushtet dallojnë shumë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar nga gabimet e të tjerëve dhe jo se ofruan diçka më mirë”.

Sipas Bunjakut, retorika popullsite jep rezultate afat shkurte dhe koha po e dëshmon arrogancën e VV-së.

“Jemi dëshmitarë të skandaleve të VV-së e mos punës së tyre. Ata po kërkojnë kohë, e koha do ta dëshmoj më së miri arrogancën e tyre në pushtet ashtu siç u dëshmua më 17 tetor”, ka theksuar Bunjaku.

Ajo deklaron se ka pritur të fitojnë pa balotazh edhe dy komuna në të cilat qeverisë LDK-ja.

“Rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e 17 tetorit kanë qenë të pritshme. Kam pritur t’i fitojmë edhe dy komuna pa balotazh por tashmë jemi në garë dhe presim edhe më shumë”, ka thënë ajo.

“Jemi në nëntë komuna në balotazh. Kemi kthyer vetën në teren tek votuesit. Ndryshimet në lidershpin tonë dhe qasja pragmatike e kryetarit Abdixhiku ndaj proceseve, elektoratin e ka kthyer dhe rritur besimin qytetarëve”, ka nënvizuar ajo.

“Presim t’i fitojmë të gjitha ku jemi në balotazh, sepse kemi kandidat të dëshmuar e profesional. LDK po rikthehet aty ku e meriton, gabimet i ka pranuar dhe qytetarët e dinë se mbetemi partia e parë në vend aty ku e meritojmë”, potencon Bunjaku.

“Qytetarët duan punë të prekshme e jo fjalë boshe”, përfundon ajo.

“Rezultatet e 17 tetorit “brumë i mjaftueshëm” për secilën parti që t’i përdorin në favor të tyre”

Rezultatet e 17 tetorit sipas analistit politik, Rasim Alija po konsiderohen si brumë i mjaftueshëm që subjektet politike t’i interpretojnë sipas nevojës së tyre.

“Këto rezultate të 17 tetorit, subjekteve politike u kanë dhënë mjaftueshëm brumë që ti interpretojnë varësisht se çfarë dëshirojnë të argumentojnë”, ka deklaruar Alija.

Përderisa, LDK mori më së shumti vota për kuvendet komunale, LVV është e para me vota për kandidatët për kryetar komunash, ndërsa PDK prin me numrin e komunave të fituara pa balotazh që në raundin e parë.

“Ky lloj argumentimi i subjekteve politike, bëhet qëllimshëm, që në opinionin publik te krijohet ndjesia e fitores që këtyre subjekteve u shërben me pas si legjitimim i tyre”, thotë Alija.

E sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje ai thekson se “paraqitja e rezultatit si fitore nga LVV, shërben për të mbuluar dështimin e LVV-së në zgjedhjet lokale, dhe për të minimizuar rezultatin e LDK-së në votën për kuvendet komunale”.

Ai potencon se duhet pritur garën e balotazhit pasi sipas tij, “vetëm pas rezultateve të 14 nëntorit mund të kemi humbës e fitues real të zgjedhjeve lokale, sepse në fund të fundit, gara në zgjedhjet lokale bëhet se kush do udhëheq me komunat për katër vitet e ardhshme”.

“Numri i komunave të fituara, do të jetë matësi i suksesit për secilin subjekt politik”, përfundon Alija.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit për kuvend komunal.

E në bazë të këtyre të dhënave, LDK është radhitur partia më e votuar për asamble komunale.

Kurse LVV renditet e dyta me votë popullore ndërsa PDK  e treta duke lënë në vendin e katërt AAK-në.

Kujtojmë që në raundin e dytë që do të mbahet më 14 nëntor, nuk do të ketë votime për asamble komunale, derisa për kryetarë të komunave do të votohet në 21 komuna./Gazeta Enigma/

Related Articles