Jurgen Klopp, paralajmëron probleme të mëdha për Liverpoolin nëse nuk sigurohet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.
Klopp pranon që dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve do të kishte implikime masive financiare për Liverpoolin para se ata të përballen me Manchester Unitedin në këtë fundjavë.
“The Reds” janë të vetëdijshëm se një humbje eventuale në “Old Trafford” të dielën do t’i fundoste shpresat e tyre të zbehta për të siguruar pozitën e katërt në Premier League, me ekipin e Klopp që është në vendin e gjashtë, katër pikë prapa Chelseat të vendit të katërt me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Këtë javë Liverpooli njoftoi një humbje prej 46 milionë funteve ndërsa ndikimi i pandemisë COVID-19 është po ashtu i madh, dhe Klopp e di se humbja e të ardhurave të Ligës së Kampionëve do të ndihmonte shumë negativisht në atë situatë, përcjell Gazeta “Enigma”.
Duke folur në një konferencë shtypi para ndeshjes të premten, ai u tha gazetarëve:
“Të luash në Champions League është padyshim diçka e madhe, veçanërisht nga pikëpamja financiare, për klubin. Pra, nëse nuk mund ta bëjmë atë, atëherë nuk është mirë, patjetër që jo.”
“Por nuk mendoj se kjo do të ndryshojë asgjë për sa i përket skuadrës. Situata ishte e vështirë më parë dhe do të jetë e vështirë edhe më pas. ”, shtoi ai.