Klubet kosovare meritojnë përkrahje masovike nga tifozët në garat evropiane

Klubet kosovare meritojnë përkrahje masovike nga tifozët në garat evropiane

Të përkrahet ekipi i qytetit tënd, ekipi i zemrës tënde është gjëja më e bukur që mund t’i ndodh sportit në përgjithësi.

Klubet kosovare të futbollit gjatë javës së ardhshme pritet që t’i zhvillojnë ndeshjet të cilat janë të rezervuar për ta, shkruan Gazeta Enigma.

FC Ballkani, FC Drita, SC Gjilani dhe KF Llapi janë ekipet që kanë siguruar vend në garat evropiane, respektivisht Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës.

Presidentët e klubeve kosovare nuk kanë kursyer asgjë për t’i arritur objektivat, ndërsa objektivat në garat evropiane arrihen edhe kur lojtari i dymbëdhjetë të jetë i ‘zhurmshëm’ në përkrahje të ngjyrave të zemrës.

Katër ekipet kanë nevojë që stadiumet t’i kenë të stërmbushura dhe kënga të jehonë në çdo cep të qytetit.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, do të luaj ndaj skuadrës nga Lituania, Zalgiris, në kuadër të fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e parë do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me 5 korrik. Tashmë edhe biletat për këtë sfidë kanë dalë në shitje.

Në ndeshjen e parë si vendas do të jetë edhe Gjilani e cila me 7 korrik në “Fadil Vokrri” do të ballafaqohet me skuadrën nga Letonia, Liepaja, në kuadër të Ligës së Konferencës. Tifozët e klubit “Skifterat” kanë filluar mobilizimin dhe priten të udhëtojnë drejtë kryeqytetit në mënyrë masovike.

Drita dhe Llapi ndeshjet e para do t’i zhvillojnë si mysafirë. Drita do të udhëtojë me 6 korrik në Finlande për t’u përballur me Inter Turku. “Intelektualët” kanë paralajmëruar që do jenë prezent në Finlandë. Kurse, Llapi do të ndeshet me skuadrën malazeze, Buducnost Podgorica. Në ndeshjen e kthimit pritet mobilizimi i tifozëve të klubit, “Legjendat”.

Pra, futbollistët në fushën e gjelbër kanë nevojë për brohoritjet e zjarrta, kanë nevojë që pasioni në tribuna t’u jep zemër drejtë synimeve.

 /GAZETA ENIGMA/    

Related Articles