KMDLNJ kërkon publikimin e listës së përfituesve të subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë

KMDLNJ kërkon publikimin e listës së përfituesve të subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve. 

Kjo kërkesë e KMDLNJ-së vjen pas  publikimeve të fundit që janë bërë për ndarjen e granteve ndaj familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

“KMDLNj kërkon që Ministria e Bujqësisë ta publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për faktin se dyshohet se në listën e papublikuar janë emra të partisë në pushtet e që duket se duan të kursehen”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së,.

Po ashtu ky  Këshill e  ka quajtur fjalorin e ministrit Peci si “arrogant” dhe “shantazhues” edhe ndaj anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, por edhe ndaj gazetarëve që hulumtuan këtë rast.

“Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri përpjekje, si Pont Pilati të shfajësohet nga çdo përgjegjësi, me një fjalor arrogant dhe shantazhues, si ndaj një anëtari të LDK – së që e bëri publik lajmin, ashtu edhe ndaj gazetarëve dhe mediave që hulumtuan këtë rast dhe rastet tjera”.

“Kërcënimi i ashpër u drejtua kundër partive opozitare e sidomos ndaj njërit lider të partisë i cili u akuzua si “vrasës i patriotëve shqiptarë”.

KMDLNJ ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të hetojë këto dyshime për shpërdorim të subvencioneve sa më shpejt që është e mundur.

“Ministria e Bujqësisë ka një buxhet të madh për subvencione andaj edhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha. Ky rast nuk duhet në asnjë mënyrë të mbetet i pahetuar dhe të kalojë pa masa politike, institucionale dhe ligjore ndaj shpërdoruesve”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar të martën kallëzim penal ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe Fitore Pacollit, pas marrjes së granteve nga familjarët e deputetes së pushtetit.

Kryetari i Forumit, Paris Guri, ka thënë është e papranueshme që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro.

“Këto skandale janë të dukshme. Përveç vëllait, Pacolli ia ka nda edhe dajës së saj 100 mijë uro. Kjo tregon se para publike po keqpërdoret në mënyrën më brutale të mundshme dhe kjo nuk mund të tolerohet në asnjë moment. Kërkojmë nga prokuroria që ky rast të hetohet dhe për këtë rast dikush duhet të shkojë në burg sepse ka shkelje flagrante të ligjit”, tha ai para mediave.

Ditëve të fundit është raportuar se vëllai dhe daja i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli kanë marrë grante në vkerë 100 mij137 euro nga ministria e Pecit.

Related Articles