Deputeti nga radhët e VV-së, Jahja Kokaj, është shprehur i indinjuar me kategorizimin që i bëhet fizikanëve në koeficient, duke thënë se ata që punojnë në QKUK së shpejti kanë për ta lënë punën dhe se profesorët universitar duhet të paguhen më shumë.
“Pajtohem që deputeti ta ketë rrogën më të madhe, por jo dyfish më të madhe sesa profesori universitar. Së pari duhet ta ngrisim lart, arsimin, shkencën dhe mendimin kreativ. Këto ne i kemi sakatuar kësaj radhe, për arsye se profesori e meriton një pagë më dinjitoze”.
“Fundja, të ju them të vërtetën, unë nuk kam nevojë, sepse nuk kam shumë shpenzime jetësore, jeta ime është modeste, edhe me m’dhanë rrogë të madhe, nuk kam ku ta shpenzoj, përveç për trupin dhe mendjen time”, tha Kokaj në seancë, përderisa po diskutohet për koeficientin.
Tutje Kokaj tha se edhe mjekët specialistë meritojnë pagë “katërfish” më të lartë, por pyeti se ku të merren paratë.
“Konsideroj se paga e specialistëve mjekësor duhet të jetë të paktën edhe katër herë më e lartë sesa që është sot, por vjen pyetja ‘ku me i marrë ato të holla?’. Vetëm atëherë kur shtrihesh para operacionit, kur ai (mjeku) si engjëll, me mantill të bardhë sillet rreth jush dhe shpëton jetën, siç thoshte nëna ime “ndihmëtar i zotit”, ai (mjeku) meriton gjithçka, por unë konsideroj se paga e specialistëve është rritur dhe nëse prisni që ata ti ndalni me paga, është e pamundur, për arsye se paga në sektorin privat është dyfish apo trefish më e madhe”, u shpreh Kokaj.