VV me video të re: Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit

VV me video të re: Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një tjetër video këtë të enjte, përmes së cilës ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për qasjen në ekonomi.

Sipas tyre, “ekonomia e LDK-së” është në shërbim të grupeve të interesit.

LVV thotë se LDK-ja po mburret me akademikët, derisa e akuzon këtë parti për propozimet për daljen nga kriza.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mburret me akademikët e saj. Për profesorët e doktorët në universitet publike dhe private. Vetëm për ekonomi ajo ka thuajse gjithë katedrën e kësaj fushe në UP. Por, cilat janë alternativat e tyre për ekonomi në këto dy vite? Propozimi për ta ulur e më pas hequr akcizën, TVSH-në dhe naftën, tërheqja e 30% të Trustit si dhe ulja e tatimeve e rritja e pagave. Këto pra ishin tri propozimet e tyre”.

Sipas partisë në pushtet, propozimi për heqjen e akcizës dhe TVSH-së së naftës, u shërben naftëtarëve ta rrisin marzhën e fitimit.

“Ne e vendosëm çmimin tavan, i cili uli çmimin për qytetarët”, thuhet në videon e LVV-së.

Ndërsa, propozimi për tërheqjen e mjeteve nga Trusti sipas tyre, nuk ndihmon ata që kanë nevojë, por shkatërron sistemin pensional që ka Kosova.

“Njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti deshën ta shkatërrojnë doktorët e LDK-së”.

Propozimi i tretë, ai për uljen e tatimeve dhe e rritjes së pagave nuk ka sens për LVV-në.

“Një populizëm i pastër që as nuk merr mundin të tregojë se ku të merren paratë. Në të tria rastet asnjë ide serioze për ekonominë”, thuhet ndër të tjera.

Related Articles