Një sasi rekord prej 195 tonelatash kokainë janë sekuestruar në Kolumbi në kuadër të një operacioni ndërkombëtar.
Të paktën 42 vende morën pjesë në operacionin që ka zgjatur një muaj e gjysmë, ka bërë të ditur Marina Kolumbiane.
Në tërësi 574 persona u arrestuan, bashkë me konfiskimin e 176 tonelatave marihuanë, 113 varka për transportin e tyre, 6 nëndetëse gjysmë të zhytura dhe 2 avionë.
Kolumbia, prodhuesi më i madh në botë i kokainës, regjistroi një rritje të gjetheve me rreth 13 për qind në vitin 2022, duke arritur një rekord prej 230 mijë hektarësh.
Gustavo Petro, presidenti i parë i krahut të majtë në historinë e vendit, ka propozuar një ndryshim të qasjes në luftën kundër drogës, të cilën Kolumbia po e shoqëron me asistencën ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, që janë dhe tregu kryesor i konsumit të kokainës amerikano-latine.
Sipas të dhënave të OKB-së, thuajse dy të tretat e gjetheve të kokës rriten në rajonet jugore të vendit, Narino dhe Putumajo, në kufi me Ekuadorin; si dhe në Santanderin Verior, në kufi me Venezuelën.