Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Latif Gashi (Komandant Lata) i ka reaguar ashpër Rrustem Mustafës (Komandant Remi) i cili tha se Albin Kurti ka qenë bashkëluftëtarët i tij.
Ai ka thënë se Albin Kurti ka qenë përkthyes i Adem Demaçit, dhe asnjëherë s’ka qenë pjesë e luftës.
Për më tepër, Latif Gashi, ka thënë se ajo çfarë ka thënë mbrëmë Rrustem Mustafa është hajgare.
“Përgjigja ime për deklaratën e Komandat Remit është së mendoj se ka bo hajgare me panelistë, ajo çka ka thënë është hajgare. Albin Kurti ka qenë veç përkthyes i Adem Demaçit gjatë luftës edhe në momentin që e ka mbyllë zyrën Adem Demaçi ai nuk ka qenë pjesë e luftës në asnjë zonë. Sa e di unë ai ka thënë se nuk du me luftu”, ka thënë Lata për Front Online.
Një reagim të ashpër e ka shfaqur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Kadri Kastrati për Front Online.
Ai tha se në Zonën Operative të Llapit kurrë nuk ka qenë Albin Kurti i veshur me uniformën e UÇK-së.
Ai në një prononcim për Front Online tha se nga dita e parë e deri në mbarim të luftës ka qenë në vijën e frontit dhe kurrë aty nuk e ka parë Albin Kurtin.
“Unë kam qenë prej ditës së parë dhe deri në fund të luftës pjesë e Zonës Operative të Llapit. Asnjëherë nuk e kam parë Kurtin me uniformë në atë zonë”, ka thënë Kastrati për Front Online.
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka befasuar opinionin publik kur mbrëmë në një emision televiziv tha se “Albin Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar në UÇK”.
“Po flet ashtu sikur ai e njeh problemin, në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtaret. Unë Albin Kurtin e kam pasur bashkëluftëtar”, është shprehur Remi.
Mirëpo, në një dokumentar të realizuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, ku flasin aktivistë e artistë të ndryshëm në Prishtinë, ajo që kishte rënë në sy ishte deklarata e tash kryeministrit Albin Kurti.
Gjersa flet për luftën ai shpjegon pikëpamjet e tij për zgjidhjen e problemeve dhe thotë se “ai personalisht nuk do ta kapte kurrë armen, sepse dëshiron ndryshe t’i zgjidhë problemet”.
“Nuk mund të kesh një luftë klasike dhe frontale, në mes të dy ushtrive. Nuk ka kësi lloj lufte. E keni parë Bosnjën, dhe e keni parë se është një nga luftërat më të tmerrshme. Shumë njerëz të pafajshëm duke vdekur. Nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë. E kam thënë se mes luftës dhe dorëzimit preferoj zgjidhjen pa dhunë”, thotë Kurti në dokumentar.