Komandanti i misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO, Gjeneral Major Franco Federici, vizitoi njësitë e KFOR-it të vendosura në pikat e kalimit Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.
Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, për dy javët e ardhshme trupat e KFOR-it do të qëndrojnë në pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë.
“Njësitë e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal dhe rajonal,” tha Federici.
“Në ditët e kaluara kam zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira dhe kam ofruar përditësime të rregullta për Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe zinxhirin tim komandues të NATO-s,” shtoi ai.
“Falënderoj institucionet në Kosovë, kryetarët e komunave veriore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në de-përshkallëzimin e situatës për përpjekjet e tyre, dhe mezi pres të mbetem në kontakt me ta,” tha mes tjerash gjeneralmajor Federici.