Komiteti Evropian i Rajoneve (CoR) ka miratuar vlerësimin e përzier të Komisionit Evropian për progresin e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi në vitin 2022. CoR i miratoi rekomandimet më 6 korrik në një seancë plenare të adresuar nga komisioneri evropian i ngarkuar për politikën e zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Draft-opinioni për të ashtuquajturën paketë të zgjerimit 2022 – vlerësimi vjetor i Komisionit Evropian për progresin në paketën e reformave të nevojshme për anëtarët e ardhshëm të BE-së – ka përfshirë edhe Kosovën, e cila konsiderohet si vend potencialisht kandidat.
Aty i jepet nxitje një ridyfishimi “të përpjekjeve për të adresuar vështirësitë politike në lidhje me komunat me shumicë serbe në Kosovë”.
CoR në këtë raport thotë se mirëpret vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave me Kosovën, vendim i cili do të hyjë në fuqi më së largu më 1 janar, 2024.
Raporti është prezantuar nga raportuesja Anna Magyar, anëtare e Këshillit të Csongrad-Csanád, ndërsa aty thuhet se mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, proces “i cili reflekton zgjedhjen e saj të qartë strategjike gjeopolitike”.
Po ashtu, ky Komitet ka mirëpritur edhe “marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Më tej, CoR “inkurajon Kosovën që të bëjë përpjekje të mëtejshme për të adresuar sfidat në rrugën e saj evropiane; nënvizon faktin se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, raporton Klankosova.tv.
CoR “nënvizon rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja të mund të avancojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane; u bën thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje lidhur me themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Komiteti Evropian i Rajoneve në fund “vlerëson harmonizimin e vazhdueshëm të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”.
Komiteti Evropian i Rajoneve është asambleja e Bashkimit Evropian e përfaqësuesve vendorë dhe rajonalë që u siguron autoriteteve nënkombëtare një zë të drejtpërdrejtë brenda kornizës institucionale të BE-së.