Kompania Rajonale për grumbullimin e mbeturinave ‘Pastrimi’ ka kërkuar nga komuna e Prishtinës dhe Policia të marrin masa për tejmbushjen e kontejnerëve nga kompanitë private.
Kompania “Pastrimi” ka theksuar se ata kryejnë shërbime për qytetarët e jo kompanitë private.
“Lusim organet kompetente si Inspektoratin Komunal dhe Policinë e Kosovës të ndërmarrin masa pasi kontenjerët janë të destinuar për shërbimet që kryhen nga Kompania “Pastrimi” për qytetarët dhe jo të mbushen nga Kompanitë private dhe individ që kryejnë aktivitete të ndryshme”, thuhet në një njoftim të kompanisë.
Sipas tyre, mbushja e kontejnerëve nga kompanitë private tashmë është shndërruar në një dukuri të përhapur në Prishtinë.Ky reagim i kompanisë ‘Pastrimi’ erdhi pas shumë reagimeve nga ana e qytetarëve se kontejnerët po stërmbushen dhe kompania nuk po i mirëmban si duhet.
Faqja ‘Vrojtuesit e Lagjes’ Prishtinë vazhdimisht raportojnë pamje të tilla të kontejnerëve të stërmbushur me mbeturina.
Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ ushtron aktivitetin e saj në Rajonin e Prishtinës ku përfshihen komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.