Komuna e Gjakovës ka reaguar pas vjedhjes së naftës që ka ndodhur në Qendrat e Mjekësisë Familjare të kësaj komune.
Në reagimin e bërë për media thuhet se tashmë Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin.
“Komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, më datë 25 Tetor 2021, ka pranuar kërkesë nga menaxhmenti i QKMF-së për furnizim me naftë – ngrohje për 10 Qendra të Mjekësisë Familjare, konkretisht për 15 mijë litra. Më datë 27 tetor 2021, nga Kompania e kontraktuar për furnizim me naftë – ngrohje, është kryer furnizimi për 9 Qendra të Mjekësisë Familjare (vetëm objekti i vjetër nuk është furnizuar në këtë datë)”.
“Më datë 1 Nëntor 2021, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brekoc, është vërejtur nga stafi shëndetësor që ngrohja nuk funksionon, rrjedhimisht kanë vijuar me njoftimin e punëtorëve teknik ku është konstatuar se nuk ka naftë dhe pastaj është njoftuar Stacioni Policor në Gjakovë”, thuhet në reagim.
Komuna e Gjakovës më tej në reagim thotë se presin që sa me shpejtë të dalin në pah përgjegjësit.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit tashmë janë duke zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast dhe ne presim që sa më shpejtë të dalin në pah përgjegjësit. Politizimi i paarsyeshëm i çështjes në fjalë, nuk i’u ndihmon politikave për të cilat pretendojnë të garojnë në Gjakovë. Janë organet kompetente, ato që duhet të hetojnë dhe vërtetojnë çdo informacion. Vlen të theksohet se Komuna e Gjakovës nuk ka procesuar asnjë pagesë për furnizimin në fjalë”, vijon reagimi.
Për vjedhjen e naftës ka raportuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
Policia kishte raportuar se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ponoshec mungojnë rreth 400 litra naftë.