Komuna e Mitrovicës thotë se sot u ndal rrjedha e ujit nëpër lumin Ibër, Mujka e mohon

Komuna e Mitrovicës thotë se sot u ndal rrjedha e ujit nëpër lumin Ibër, Mujka e mohon

Komuna e Mitrovicës ka deklaruar se sot në orët e hershme të mëngjesit autoritetet komunale janë përballur me ndaljen e rrjedhës së ujit nëpër shtratin e lumit Ibër.

Kjo sipas komunës,  ka shkaktuar edhe shterjen e lumit.

“Rrezikimi i furnizimit me ujë të pijes për rajonin e Mitrovicës në këto temperatura të larta, rrezikimi i ekosistemit të lumit Ibër janë alarmuese për ne si institucion i Komunës së Mitrovicës”.

“Komuna e Mitrovicës ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit”, thuhet në njoftimin e komunës në Facebook.

Por këto pretendime të komunës i ka kundërshtuar Faruk Mujka, kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”.

Ai ka deklaruar se disa zëdhënës komunalë janë duke tentuar që të fajësojnë ndërmarrjen hidroekonomike për nivelin e ujit në liqenin akumules të Mitrovicës së Jugut.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se këta punëtorë komunalë janë duke u munduar të mbulojnë dështimet dhe gabimet e tyre.

“Sot përsëri po tentohet që të fajësohet “Ibër-Lepenci” për nivelin e ujit në Liqenin Akumulues, njëjtë sikur me rastin e vërshimeve në janar kur dëmet ishin milionëshe e arsyeja kryesore ishte mbyllja (e besa edhe saldimi) i portave në liqenin akumulues”.

“Sot, përkundrazi ato janë harruar të mbyllen, njëjtë si para dy muajsh kur kishim foto të njëjta. Sa për informim niveli i ujit në Çabër e Kushtovë është normal për një ditë vikendi. Kanali i Ibër-Lepencit ka sasinë normale dhe furnizon normalisht edhe fabrikat e ujit, KEK-un, Ferronikelin dhe gjithë bujqit që kanë nevojë me i ujit arrat e tyre”, ka shkruar Mujka.

Mujka ka shtuar se me këto veprim nga Komuna e Mitrovicës janë me prapavijë politike ndaj N.H. “Ibër-Lepenci”. / Gazeta Enigma.

Related Articles