Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur rreth situatës së krijuar në kryeqytet, shkruan Gazeta Enigma.
Ai ka akuzuar qeverisjen e LDK-së në Prishtinë për dështim dhe abuzim me qytetarët, për rastin e transportit urban.
“Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë. Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
“Aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues. Përveç kësaj, komuna ka obligim të hartojë Planin e Transportit, të bazuar në Planin e Mobilitetit, dhe ta dorëzojë në Ministri për miratim, në mënyrë që linjat urbane dhe urban-periferike të mos ndërhyjnë me linjat ndërurbane”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke shtuar se as këtë se ka bërë Komunës e Prishtinës.
