Me anë të një kërkese që Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka adresuar ushtrues së detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, Kryetarët e Komunave vlerësojnë se ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021 si dhe që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën, raporton ‘Gazeta Enigma’.
Në këtë kërkesë thuhet:
“Falë punës së përbashkët mes institucioneve të Kosovës, fatmirësisht, numri i rasteve infektuese me Covid-19 është në rënie e sipër, ashtu edhe i rasteve me fatalitet.
Për këtë arsye por edhe për faktin se të dielën kemi zgjedhjet lokale Kryetarët e Komunave mendojnë që;
Ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021.
Mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën.
Këto do të duhej të ndodhnin edhe për arsyet si:
Ditën e 17 tetorit mund te këtë komuna që kryetarët fitojnë pa balotazh, andaj do të jetë pothuaj e pamundur që në ato komunat të ndalen festimet e mundshme të qytetarëve.
Duke ditur se procesi i numërimit të votave do të mund të vazhdoj deri natën vonë, Vëzhguesit dhe komisionerët, të cilët do të jenë në numër të konsiderueshëm, do të lëvizin edhe pas orës 22.00.
Në anën tjetër, dënimet dhe ndëshkimet e mundshme të Policisë dhe Inspektoratit të AUV për pjesëmarrësit e festave mund të shkaktojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe mund të kemi situata të pakëndshme deri në ndonjë provokim të ndonjë incident i cili do t’i zbehte organizimin e zgjedhjeve lokale, për të cilën Kosova është e njohur në organizim të mirë të zgjedhjeve dhe pa incidente.
Në këtë kontekst, është vlerësuar pothuaj se masa e kufizimit të qytetarëve nuk mund të sjellë ndonjë rezultat negativ në këtë drejtim meqë kafenetë dhe restorantet janë të stërmbushura me qytetarë kurse numrat e të infektuarve dhe rasteve me fatalitet fatmirësisht janë duke rënë dhe në një aspekt kemi hyrë në vënien në kontroll të kësaj pandemie në këtë moment.
Në këtë kuadër të vlerësimit të masave, së bashku me heqjen e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën – thuhet ndër të tjera në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv Sazan Ibrahimi./Gazeta Enigma/