Departamenti i hetimeve pranë Policisë së Kosovës (PK), sot gjatë ditës ka realizuar dy operacione të suksesshme policore, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 6 personave të dyshuar dhe konfiskimin e rreth 17 kilogramëve substancë narkotike e llojit marihuanë.
Sipas Policisë, operacioni i parë është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, i cili pas hetimeve intensive ka rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar si dhe konfiskimin e rreth (17) shtatëmbëdhjetë kilogramëve substancë narkotike e llojit marihuanë.
Fillimisht zyrtarët policorë në magjistralen Prishtinë-Pejë kanë ndaluar automjetin e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit kishin gjetur një sasi prej rreth (12) kg, substancë narkotike dhe pastaj gjatë kontrollit dhe bastisjes në lokacionet e banimit të personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar edhe (5.746.3) kg, substancë narkotike.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar substanca narkotike në total prej mbi (17) kg, një (1) veturë, dy (2) peshore, tre (3) telefona dhe para të gatshme në vlerë prej 470 euro.
Me vendim të prokurorit kompetent ndaj tyre është iniciuar rasti “Blerje, posedim, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve substancave psikotrope ose analoge”.
Ndërsa operacioni i dytë është realizuar në rajonin e Prishtinës, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar, dy (2) prej tyre punonjës në agjencinë qendrore të prokurimit, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Operacionet policore janë realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me prokuroritë kompetente.
Policia e Kosovës vazhdon përkushtimin dhe angazhimin e sajë, në parandalimin e aktiviteteve kriminale, shkatërrimin e grupeve kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.