Konfiskohen narkotikë në Prishtinë, një i dyshuar arrestohet, tjetri në arrati

Konfiskohen narkotikë në Prishtinë, një i dyshuar arrestohet, tjetri në arrati

Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se ka arrestuar një të dyshuar për trafikim me lendë narkotike në Prishtinë, raporton Gazeta Enigma.

“Në vazhdën e trajtimit të rastit, hetuesit e anti-drogës dje (18.09.2025), në orët e mbrëmjes, kanë realizuar një plan taktik për të kapur të dyshuarit. Policia ka arritur ta ndalojë automjetin me të cilin po udhëtonin të dyshuarit, ku gjatë kontrollit tek njëri i dyshuar është gjetur substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.6 gram dhe substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 3.5 gramë”, thuhet në njoftim. 

Gjatë realizimit të planit, një i dyshuar tjetër me veturë, me të vërejtur policinë, thuhet se e ka braktisur veturën dhe ka arritur të ikë.

“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është kontrolluar banesa e njërit të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë konfiskuar provat: pesë qese me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 545.6 gramë, një peshore dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Në banesën e të dyshuarit tjetër janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë: substancë që dyshohet të jetë narkotike- marihuanë me peshë 9.2 gramë, 15 kuti plastike të mbjella me kërpudha narkotike, 179 kavanozë të mbushur me fara në fazën e prodhimit për kërpudha narkotike”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të prokurorit i dyshuari L. A. thuhet se është dërguar në mbajtje për 48 orë. / Gazeta Enigma.

Related Articles