Konflikti në Lindjen e Mesme – Izraeli pranon armëpushimin

Konflikti në Lindjen e Mesme – Izraeli pranon armëpushimin

Mediat izraelite kanë raportuar të enjten se Kabineti i Sigurisë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka miratuar një armëpushim të njëanshëm për ndaljen e operacionit ushtarak 11-ditor në Rripin e Gazës.

Vendimi për ndaljen e luftimeve është marrë pas presionit të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndaljen e ofensivës.

Transmetuesi publik izraelit “Kan” kishte raportuar më herët se “armëpushimi i njëanshëm” do të hynte në fuqi brenda 24 orësh.

Para se mediat të raportonin për vendimin, një zyrtar egjiptian kishte bërë të ditur se Izraeli ka informuar Qeverinë e tij, e cila është ndërmjetëse e një armëpushimi, se synon që t’u japë fund operacioneve ushtarake në Gazë.

Zyrtari ka folur pak kohë pasi që presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, ka zhvilluar një bisedë telefonike rreth çështjes me presidentin amerikan, Joe Biden, ka njoftuar kabineti presidencial në Kajro.

Ndërkaq në Washington, sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mundohen që “të bëjnë krejt çfarë është e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit”.

Related Articles