Një grup i kongresistëve amerikanë kanë kërkuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, t’u vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.
Në letrën drejtuar Bidenit, ata shprehen se janë të shqetësuar për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që një situatë e tillë mund të ketë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, transmeton “Vijesti”.
“Siç thatë gjatë vizitës tuaj në Beograd në gusht 2016, ‘është kryesisht në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara që populli i Serbisë të rritet dhe të përparojë’. Prandaj, dëshirojmë të inkurajojmë administratën tuaj që të angazhojë Vuçiç në luftën kundër korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë së shtypit, dy fusha që janë kritike për një Serbi të begatë dhe demokratike dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE, thuhet në dokument.
Kongresistët i bënë thirrje Bidenit që të shqyrtohet përdorimi i Urdhrit Ekzekutiv 14033, aty ku është e mundur, për të bllokuar pronat dhe për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të arrihet një qeveri më transparente dhe më e përgjegjshme në Serbi, të respektohet demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor, shkruan “Vijesti”.
Ata theksojnë se liria e medies nuk është vetëm një vlerë kyçe amerikane e përfshirë në Kushtetutën e SHBA-së, por se kjo çështje është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme të Uashingtonit dhe për luftën kundër autoritarizmit në mbarë botën.
“Siç theksuat në fund të vizitës suaj në Beograd në 2016, “kombet janë më të forta kur dëgjohet zëri i shumicws”. Fatkeqësisht, liria e medias në Serbi ka arritur një nivel të ulët. Siç vëren Reporterët pa Kufij: “Serbia është një vend ku gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare.”
“Është gjithashtu e qartë se mediat pro-qeveritare po bëjnë përparim dhe janë në një marrëdhënie reciproke të dobishme me qeverinë”, thuhet në një dokument të nënshkruar nga kongresmenët: Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley. raporton “Vijesti”.