Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke iu drejtuar deputetëve tha që kushdo që e ka qoftë edhe një familjarë në institucione publike të mos flas fare, raporton Gazeta Enigma.
Pas reagimit që ka pasur, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ai iu ka drejtuar duke e pyetur nëse mendon që motra e saj është punësuar në mënyrë profesionale.
“Nëse ti menon që motra jote u pranua në mënyrë profesionale ti nuk ke drejtë me fol fare në këtë Kuvend”, ka thënë ai.
Ndërsa, Musliu iu ka kundërpërgjigjur duke thënë se motra e saj po kryqëzohet nga kjo Qeveri diferenciale.
“E kam motrën zyrtare të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jam shumë krenare. Ju jeni ata që e keni kryqëzuar motrën time sepse ju jeni diferencial, e keni kryqëzuar vetëm pse është motra e Ganës. Ti i ke pesë a gjashtë të punësuar në institucione”, ka thënë ajo.
Tutje, Konjufca ka thënë se përmendja e emrave nuk është e nivelit të tij por që është i gatshëm të sjellë një listë prej 150 personash familjarë të opozitës të punësuar në institucione publike.
“Nuk ka qenë kurrë niveli im me përmend emra. Unë përmendi gjëra vetëm kur dua me qit në pah hipokriten dhe gënjeshtrat. Nuk është në nivelin tim të diskutimit dhe nuk ma lejon ndërgjegje. A e kam përmend ndonjëherë motrën tënde deri në këtë rast Gane. Folni sa të doni në këtë Kuvend. Me fillua me ju numërua familjarët e juaj në BQK e Telekom. Unë mendoj që në këtë Kuvend ta bijë listën e saktë që shkojnë deri në nivelin e dhëndrit, vjehrrit. Vetëm opozita Gane po të betohem në vajzat e mija 150 familjarë t’i dorëzojë me listë”, ka thënë ai.
“I habitur nga lëshimi në këtë nivel të Konjufcës”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri./Gazeta Enigma/