Të mërkurën, më 6 nëntor presidentja e vendit e ka mandatuar Glauk Konjufcën për të tentuar formimin e Qeverisë së re, pasi ai u votua si mandatar për kryeministër nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe pse Konjufca deklaroi se nuk do të bëj koalicion, Osmani tha se Konjufca e bindi se mund ta bëjë qeverinë.
Por, partitë ish-opozitare potencuan se nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe se nuk e votojnë Konjufcën e asnjë mandatar nga LVV.
Sipas tyre, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se e gjithë kjo është lojë e Kurtit për të fituar kohë.
Lidhur me atë se a do t’i bëjë numrat Konjufca apo vendi do të shkojë në zgjedhje, ka folur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për Gazetën Enigma.
Ajo tha se nuk beson se i kanë numrat.
“Mendim personal, e duke parë se s’ka angazhim, nuk mendoj që i kanë numrat”, u shpreh Kadrijaj.
Mbetet të shihet nëse Konjufca do të arrijë t’i sigurojë edhe 5 vota, për t’i bërë 61, aq sa i nevojiten për t’u bërë kryeministër, apo vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./GazetaEnigma/
