Konjufca: Mosndëshkimi i Serbisë për Banjskën, sinjal për mendjen e Vuçiqit që të sulmojë sërish Kosovën 

Konjufca: Mosndëshkimi i Serbisë për Banjskën, sinjal për mendjen e Vuçiqit që të sulmojë sërish Kosovën 

Kryetari i Kuvendit tha se Serbia nuk është ndëshkuar meritueshëm pas sulmit që ndodhi në Banjskë më 24 shtator nga grupi terrorist serb.

Në një intervistë në Rubikon të Klan Kosova, Glauk Konjufca theksoi se mosndëshkimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është sinjal për të që të sulmojë sërish Kosovën.

“Vuçiqi pas kësaj që ndodhi (më 24 shtator në Banjskë, shën.red.), dhe Serbia si shtet, nuk e mori ndëshkimin që e meriton. Dhe kjo me siguri që në mendjen e tij ka me funksionu si njëfarë lloj ideje e cila e sinjalizon për njëfarë lloj hapësire që ai e ka që në të ardhmen ta sulmojë Kosovën për shkak që, nuk po them që mund të ndodhë invazion klasik… po flasim për metodën e Serbisë me grupacione të cilat janë thellësisht të lidhura me strukturat e sigurisë, me ushtrinë, policinë e Serbisë, me grupe edhe paramilitare, të cilët e kanë edhe një prapavijë të kriminalitetit, të angazhimit të drejtpërdrejtë në masakra prej Bosnjës e deri në Kosovë, dhe të cilët mendojnë dhe kanë qëllim të destabilizojnë Kosovë sikur më 24 shtator kur hynë në Kosovë dhe vranë Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës. Ne duhet të jemi të përgatitur, dhe i tërë fokusi i shtetit tonë, tash për tash, sidomos këta katër muajt e fundit, është shumë më i lartë fokusi në siguri dhe në përpjekjet që shteti i Kosovës me qenë sërish i suksesshëm në konfrontimin e këtyre grupeve për të cilat ne kemi informata të sakta se janë duke u përgatitur”.

“Ka informata të tilla, kanë institucionet shtetërore, ato të inteligjencës, e dinë edhe ku grumbullohen e ku mblidhen. Këto mjaftojnë që për neve, nga një vështrim i jashtëm, të duket si një përpjekje për rigrupim”, u shpreh Konjufca, raporton Klankosova.tv.

Duke komentuar qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj sulmit të 24 shtatorit ndaj shtetit të Serbisë, Konjufca tha se ka pasur reagime mjaft të ashpra, por shtoi se ndoshta disa nuk duan që ato t’i bëjnë publikisht.

“Ata (ndërkombëtarët) me siguri se nuk duan që publikisht të reagojnë, por disa reagime kanë qenë megjithatë mjaft të ashpra sa për ta bindur presidentin e Serbisë që të konsiderojë tërheqjen e trupave dhe artilerinë nga afërsia e Kosovës”, deklaroi Konjufca, teksa shtoi se “informatat tona kanë lidhje me grupe të cilat nuk janë direkt të ushtrisë, por ky grupi i Radoiçiqit një përpjekje për rigrupim dhe riorganizim, e cila neve duhet gjithmonë të na bëjë agjilë, që gjithmonë duhet ta konsiderojmë opsionin A e ai është që ata po mblidhen për të hyrë edhe një herë në Kosovë”.

“Prandaj, ne duhet t’i përgatisim krejt institucionet tona të sigurisë, edhe policinë e Kosovës, edhe ato që njësitet që janë për intervenim të drejtpërdrejtë”, potencoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Related Articles