Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, u bë e ditur se Konjufca e ka njoftuar ambasadorin britanik për çështjet aktuale, teksa ka theksuar që Kosova është e interesuar që vazhdimisht ta ketë përkrah një aleat siç është Britania e Madhe.
“Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, për projektet e përbashkëta që synojnë thellimin e mëtejshëm të këtyre raporteve, zhvillimin e vendit tonë në sfera të ndryshme, ruajtjen dhe avancimin e interesave dhe qëllimeve të përbashkëta. Konjufca e njoftoi ambasadorin për çështje të aktualitetit, duke theksuar se Republika e Kosovës është e interesuar që ta ketë vazhdimisht përkrah një aleat të pazëvendësueshëm si Britania e Madhe, në synimin e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vazhdueshëm, si dhe integrimeve nëpër strukturat dhe organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjerash, Hargreaves ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tij të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.
“Ambasadori Jonathan Hargreaves e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, e njëkohësisht theksoi se mbështetja e Britanisë së Madhe në drejtim të Kosovës do të vazhdojë, si dhe shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, për të avancuar në çdo drejtim raportet midis vendeve tona”, thuhet në përfundim.