Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit, për të cilin tha se është sulm terrorist i strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, veprimeve për rend e ligj por edhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit.
“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca.
Tutje, ai kërkoi që autorët e këtij krimi urgjentisht të sillen para drejtësisë, teksa ftoi institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë. / Gazeta Enigma.