Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, të cilin e uroi për detyrën teksa vuri në dukje marrëdhëniet e mira në mes dy shteteve.
Konjufca, gjatë takimit, Angilit i shprehu ngushëllime për viktimat e tërmeteve që goditën Turqinë, duke theksuar se populli i Kosovës qëndron pranë popullit turk.
“Kryetari i Kuvendit vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kuvendit.
Ndërsa, Angili tha se Turqia do të vazhdojë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Angili shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftim.