Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Siç bëhet e ditur në një njoftim të MPJD-së, takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet dyja vendeve, me fokus në interesin e përbashkët strategjik kombëtar.
“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme dhe të qëndrimeve të përbashkëta në arenën ndërkombëtare, në funksion të interesave të përbashkëta”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë takimit, ambasadori shqiptar e ka ftuar Konjufcën të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, që organizohet nga Republika e Shqipërisë çdo vit, dhe ka marrë formën e një platforme që forcon lidhjet me diasporën dhe kontribuon në konsolidimin e veprimit të përbashkët në përmbushje të qëllimeve të përbashkëta kombëtare.
