Konjufca: Tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do të dështojnë

Konjufca: Tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do të dështojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas shpërthimit të ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në kanalin e Ibër-Lepencit.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se çdo tentativë për të shkaktuar dëm në Republikën e Kosovës, përmes sulmeve ndaj infrastrukturës kritike nga bandat terroriste të dirigjuara, do të dështojë, shkruan Gazeta Enigma.

Konjufca shtoi se institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe të angazhuara për të siguruar mbrojtjen e rendit dhe sigurisë.

“Dua t’i falënderoj organet kompetente për punën e tyre në lidhje me sigurinë, menaxhimin e dëmit dhe punën e nevojshme të sanimit, si dhe partnerët tanë, ShBA dhe Bashkimin Evropian që kanë dalë në mbështetje të Republikës së Kosovës duke ofruar edhe ndihmën e tyre”, u shpreh ai.

I pari i Kuvendit të Kosovës theksoi se këto akte të armiqve të Kosovës janë kundër saj dhe popullit të saj.

“Duke sulmuar infrastrukturë kritike, ata kërkojnë të shpërndajnë panik dhe pasiguri. Ne do t’i përgjigjemi së bashku, teksa kemi qetësi e siguri të plotë, ndërsa ata do të përgjigjen për aktet e tyre terroriste”, tha ndër të tjera Konjufca./GazetaEnigma/

Related Articles