“Për momentin, Komisioni Europian nuk e ka rinovuar kontratën aktuale për vaksinat anti-Covid të zhvilluar nga AstraZeneca, e cila skadon në fund të qershorit”, deklaroi komisioneri europian i tregtisë, Thierry Breton, lëvizje kjo që e çon në një tjetër nivel luftën e Brukselit me kompaninë britaniko-sudeze.
Muajin e kaluar, KE-ja ndërmori veprime ligjore kundër AstraZeneca-s, për të cilën tha se nuk kishte respektuar kontratën e furnizimit me vaksina anti-covid e nuk kishte një plan të qartë mbi afatet kohore të dorëzimit të dozave. Firma e quajti të padrejtë këtë hap të bllokut dhe deklaroi se do ta mbronte me forcë veten në gjyq.
BE-ja është ankuar prej kohësh se kontrata e firmosur 27 gushtin e 2020-tën e cila parashikonte blerjen e 300 milionë dozave të vaksinës, me opsionin që më vonë të shtoheshin edhe 100 milionë të tjera, për imunizimin e qytetarëve europianë, nuk po vihej në jetë. Janarin e këtij viti, AstraZeneca e njoftoi BE-në se do të dorëzonte vetëm një të katërtën e dozave që prisnin të merrnin në mars.
Kompania pretendoi se kishte hasur probleme në fabrikat e saj të prodhimit, por nga ana tjetër ajo vazhdoi të furnizonte me vaksina Mbretërinë e Bashkuar, çka ngjalli zemërimin e Brukselit, i cili përballëj sakaq me indinjatën e qytetarëve për ngadalësinë në fushatën e vaksinimit.