Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur që listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Kosovë i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kërkesa në Kushtetuese është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës”, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.
Gjykata gjithashtu ka vënë në theks detyrimet pozitive që merr përsipër Kosova përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e masave të nevojshme legjislative; si dhe masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë.