Të shtëna me armë zjarri në drejtim të një veture në Podujevë

Të shtëna me armë zjarri në drejtim të një veture në Podujevë

Mëngjesin e sotëm, për motive akoma të panjohura, një person dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të një veture në fshatin Lupç i Epërm në Podujevë. Viktima i cili ishte në lëvizje me veturë me dy familjarë të tij e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka kërkuar ndihmë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 49-vjeçar, i cili raportoi se dikush e ka gjuajtur disa herë, por fatmirësisht askush nuk ka pësuar lëndime nga ky incident.

Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve policorë, viktima ka deklaruar se nuk ka probleme me ndonjë person, prandaj s’ka dyshime se kush mund ta ketë sulmuar dhe cili është motivi.

Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, ku kanë gjetur e konfiskuar 4 gëzhoja.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Tentim vrasje” dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme hetimore për identifikimin dhe kapjen e personit apo personave të dyshuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles