Afati për të konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë, ka përfunduar dje, më 23 gusht.
6509 qytetarë aplikuan për tu pajisur me patentë shoferë të Kosvoës.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti ka falënderuar të gjithë ata qytetarë që shfrytëzuan këtë mundësi për t’i konvertuar patentë shoferët e tyre ilegalë në të Republikës së Kosovës.
Ai tha se “qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti”.
Kryeministri ka dhënë detaje edhe për aplikimet të ndara nëpër komuna.
“Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha po ashtu se periudha prej 9 majit deri më 23 gusht kaloi pa asnjë incident apo ankesë. /Gazeta Enigma