Koret pro Putinit, presidenti i Fenerbahces: Falje ukrainasve

Koret pro Putinit, presidenti i Fenerbahces: Falje ukrainasve

Dinamo e Kievit eliminoi Fenerbahcën në turin e dytë të Champions League. Sfida e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa dueli i kthimit në Stamboll u fitua 1-2 nga ekipi ukrainas, që do të sfidojë austriakët e Sturm Graz në raundin e tretë.

Takimi që u luajt të mërkurën në “Ülker Stadyumu” u ndoq nga 40 mijë tifozë turq, të cilët mbështetën ekipin e zemrës deri në fund, por goli i parë i Dinamos zemëroi keq një pjesë të tyre.

Në stadium nisën të dëgjoheshin kore pro Vladimir Putin, veprim që ka shkaktuar trishtim tek ukrainasit, por që u kritikua edhe nga tifozë të tjerë të Fenerbahces. Goli i parë i Dinamos u pasua nga thirrjet pro presidentit të Rusisë, emër që shkakton neveri, dhimbje dhe urrejtje në kampin kundërshtar, shkruan SS.

Trajneri i Dinamos protestoi për këtë veprim të tifozëve turq. Mircea Lucescu nuk doli fare në konferencën për shtypin, ndërkohë që për mediet ukrainase u shpreh: “Nuk prisja kore të tilla, ky është një turp i madh!”

Ambasadori ukrainas në Turqi, Oleksii Chernyshev i ka kërkuar klubit nga Stambolli t’i kërkojë falje popullit ukrainas, por ndryshe mendon Ali Koç, presidenti i Fenerbahces. Ky i fundit u shpreh i prerë dhe i palëkundur ndaj një kërkese të tillë.

“Ne nuk kemi ndërmend t’i kërkojmë falje Ukrainës. Ata duhet të na kërkojnë falje për deklaratat e pafundme të ambasadorit ukrainas. Është fyerje për Fenerbahçen që ju pretendoni të kërkojmë falje“, deklaroi Koç.

Related Articles