Dirigjenti dhe themeluesi i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, është i vetëdijshëm se sa e rëndësishme është ftesa që kanë marrë për të interpretuar në sallën e Filharmonisë së Berlinit.
Mundësinë e konsideron legjendare.
Tregon edhe se ka kohë që orkestra e madhe edhe salla radhiten si më të mirat në botë.
“Të koncertosh në shtëpinë e Filharmonisë së Berlinit është ëndërr e çdo muzikanti duke e marrë parasysh se në të kanë koncertuar artistët më të mëdhenj që njeh historia e muzikës”, ka thënë ai.
Të jesh pjesë e agjendës koncertale të këtij institucioni, sipas tij, nuk është vetëm një sukses i jashtëzakonshëm.
“Është kapitull i ri për muzikën tonë korale në vend”, ka theksuar ai.
Këtë e ka ndërmend ta potencojë edhe në takimin që do të ketë nesër me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku. Do t’i kërkojë edhe mbështetje financiare, në mënyrë që të realizohet udhëtimi drejt kësaj salle. /Gazeta “Enigma”/