Raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore. Madje, ato duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke si shtete.
Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një takimi me Delegatin Apostolik të Vatikanit, Imzot Jean Marie Speich.
Në takim kryetari Konjufca shprehu vlerësimin e tij për avancimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Kosovës, tashmë edhe me themelimin zyrtar të Misionit të Veçantë të Kosovës në Selinë e Shenjtë.
“Raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore dhe ato duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke si shtete”, citohet të ketë thënë Konjufca në këtë takim.
Po ashtu, kryekuvendari shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për Papa Françeskun II për “mbështetjen e tij ndaj komunitetit katolik në veçanti, por edhe mbarë popullit të Kosovës në përgjithësi”.
Të dyja palët shprehën konsideratën mbi kulturën e veçantë të tolerancës dhe vëllazërisë që ekziston tek shqiptarët e të gjitha besimeve fetare.
“Kryetari Konjufca theksoi gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të miratuar plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare, të cilat tashmë janë përgatitur, por votimi i tyre është bllokuar nga bojkoti i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.