Të martën në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.
Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale në mes të dy vendeve, lehtësimin dhe harominizimin e procedurave ligjore për një bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas.
Marrëveshja, sipas MD-së, është hartuar në frymë dhe në përputhje me rregullat dhe parimet e përcaktuara nga Konventat e Këshillit të Evropës të fushës.
“Do të rregullojë procedurën rreth ofrimit të ndihmës juridike të ndërsjellë në çështjet penale, duke ngërthyer standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe duke reflektuar praktikat më të mira evropiane përkitazi me kërkesat e kohës”, thuhet në njoftim.
Kjo marrëveshje parasheh marrjen e dëshmive, komunikimin e drejtpërdrejtë në mes të organeve tona gjyqësore themelimin e grupeve te përbashkëta hetimore, si dhe ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave dhe instrumenteve të krimit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly. / Gazeta Enigma.