Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka deklaruar se kosovarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në procesin negociator me Serbinë, Kosova do të bëjë kompromise që nuk do të jenë të lehta.
Shasha ka thënë se kompromiset do të kërkohen pasi komuniteti perëndimor synon ta integrojë Serbinë në strukturat euroatlantike, raporton KTV.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të shohim realitetin në sy e të mos e gënjejmë veten. Kosova në këtë proces negociator do të bëjë kompromise, kjo është e paevitueshme dhe këto kompromise nuk do të jenë të lehta. Sot Serbia është aleat i rëndësishëm i komunitetit perëndimor, që ata dëshirojnë ta ankorojnë në strukturat euroatlantike. Ky është synimi i tyre dhe nuk e bëjnë se Serbia ju pëlqen, por e njohin faktin se Serbia është shteti më i madh i rajonit, ushtarakisht e ekonomikisht. Në kuadër të këtij akomodimi të Serbisë, do të kërkohen disa kompromise nga ana e Kosovës. Patjetër se do të jenë kompromise të vështira, qoftë për Kosovën, qoftë për Serbinë”, ka thënë ai.
Shasha ka shtuar se barra e jetësimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe i bie specifikisht kryeministrit Albin Kurti, i cili për vite me radhë, siç thotë ai, e ka demonizuar këtë fjalë.
“Asociacioni është patjetër element kyç i normalizimit të marrëdhënieve, si duhet shmangur besoj është thënë disa herë nga aleatët tanë. Barra për jetësimin e tij i bie specifikisht kryeministrit Kurti. Është pikërisht kryeministri Kurti që për vite me radhë ka demonizuar këtë fjalë dhe ka ngritur demonizimin e kësaj fjale në nivele të jashtëzakonshme. Mund të pyesni qytetarët se a janë pro apo kundër Asociacionit dhe 90 për qind thonë se janë kundër”, ka thënë ai.
Sipas Shashës, aktualisht Kosova është në një pozitë të status-quos, megjithatë është proaktive pasi ka propozuar modelin kroat të krijimit të Asociacionit.
“Jemi në një pozitë të status-quos, ku Kosova tani propozon një model kroat që është qartazi më pak se pritjet e Serbisë, por së paku Kosova është proaktive dhe po bën propozime për Asociacion dhe le të shohim se ku shkon ky diskutim. Për Kosovën është shumë vështirë të diskutojë kompromise siç është Asociacionin pa e marrë kundërshpërblimin, njohjen reciproke të dokumenteve, simboleve, të shtetësisë që parashihen në marrëveshje. Sinkronizmi i këtyre hapave duke përfshirë edhe ‘komplikimet’ që kanë dalë nga largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet dhe mbajtja e zgjedhjeve që ka rezultuar me përfaqësues politikë që gëzojnë një legjitimitet fragjil, të gjitha këto elemente kanë bërë një situatë komplekse për t’u menaxhuar gjatë ditëve në vijim dhe kjo është edhe arsyeja pse pamë sot telefonatën mes këshilltarit të Departamentit të Shtetit dhe z.Vuçiq në mënyrë që të menaxhohet i gjithë ky kompleksitet pa ngritur tensione gjatë ditëve në vijim”, është shprehur ai.
Shasha ka vlerësuar se dialogu Kosovë-Serbi është lënë në kompetencat e nivelit më të ulët diplomatik nga ndërkombëtarët.
“Fatkeqësisht nuk po e shohim atë vëmendjen e lartë politike ndërkombëtare për dialogun Kosovë-Serbi. Është lënë në kompetencat e nivelit të rangut të dytë ose të tretë të diplomacive të hierarkisë politike të Ëashingtonit apo kancelarive evropiane. Kjo çështje është lënë në përgjegjësi të rangjeve më të ulëta diplomatike dhe për shkak të saj, Vuçiqi dhe Kurti po e vërejnë këtë mungesë të vëmendjes ndërkombëtare nuk janë të gatshëm të hyjnë më thellë në dialog”, ka thënë ai.