Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i ka reaguar deklaratës së Besnik Bislimit, zëvendëskryeministrit të Kosovës, ku ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është vendim i njëanshëm e as çështje e pazgjidhur e dialogut.
Në një postim në platformën X, Petkoviq ka theksuar se institucioneve qendrore të Kosovës nuk u interesojnë, sipas tij, obligimet që i kanë nga marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2016, që u arritën në kuadër të dialogut.
“Heqja e ‘Parkut të Paqes’, dhe më pas kushtet për rindërtimin dhe hapjen e urës, ishin dakorduar saktësisht në marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2016. Në të dyja rastet, para marrëveshjes për hapjen e urës, marrëveshjet parashikojnë që: Prishtina duhet të zbatojë demarkacionin në Suhodoll dhe situata e sigurisë duhet të jetë e tillë që hapja e urës të mos sjellë konflikte”.
“Fatkeqësisht, Kurti dhe Bislimi padyshim duan vetëm konflikte, sepse nuk u interesojnë marrëveshjet. Prandaj nuk kanë thënë asnjë fjalë për obligimet e Prishtinës, të cilat ende nuk janë përmbushur si kusht për hapjen e urës. Ata heshtin për këtë!”, ka shkruar Petkoviq.