Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do ta nisë fazën e parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2027 kundër Përfaqësueses së Irlandës.
Pas shortit të tërhequr të martën në Munih të Gjermanisë, Kosova zuri vend në Grupin A, bashkë edhe me Zvicrën dhe Azerbajxhanin.
Kosova – Irlanda do të jetë dueli i parë, ndërsa ndeshjen e dytë, Kosova e luan në udhëtim tek Azerbajxhani. Të dyja këto ndeshje do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Në nëntor të vitit të ardhshëm, Kosova luan dy ndeshje në udhëtim, kundër Zvicrës dhe Irlandës.
Ndërkohë, në mars të vitit 2025, Kosova e pret Azerbajxhanin dhe Zvicrën në takimin e fundit.
Vetëm fituesit e tri grupeve dhe përfaqësuesja më e mirë e pozitës së dytë, kalojnë në raundin e dytë parakualifikues.
Në Grupin B janë Rumania, Luksemburgu dhe Norvegjia, ndërsa në Grupin C është Austria, Armenia dhe Shqipëria.
Kosova në raundin e tretë parakualifikues për “Eurobasket 2025” pati dy fitore kundër Zvicrës dhe dy disfata nga Danimarka.
Nuk arriti të avancojë në kualifikimet e rregullta.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që Kosova nis rrugëtimin e hershëm në parakualifikimet për Botëror së bashku me përfaqësueset e tjera evropiane të nivelit të fundit.