Këshilltari i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, Nenad Gjurgjeviç, ka thënë për Kosovo Online se gjatë vitit që shkoi Kosova ka eksportuar 444.9 milionë euro mallra nga Serbia.
Këto të dhëna sipas tij tregojnë se ka pasur rritje të eksportit krahasuar me vitin e kaluar.
“60.5 për qind më shumë se në vitin 2020, kur këmbimi ishte 277.1 milionë euro, përkatësisht eksportet në Kosovë u rritën për 60.4 për qind, ndërsa importet për 61.2 për qind”, tha Gjurgjeviç.
Ai ka theksuar se më së shumti janë eksportuar ujë, benzinë, grurë, rrymë, vaj luledielli, pije joalkoolike, sheqer dhe misër.
Ndërsa nga Kosova janë importuar gypa, mjedra të ngrira, lëkurë lope, hekur dhe radiatorë për ngrohje qendrore.
Më 23 dhjetor, Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë, ka publikuar të dhënat që tregojnë një deficit tregtar më të lartë për 38.9 për qind në muajin nëntor të këtij viti.
Në raport thuhet se në periudhën e njëjtë një vit më parë gjegjësisht në vitin 2020 ishte një vlerë prej 259.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 361.1 milionë euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 16.4 për qind.
Eksporti i mallrave në muajin nëntor të vitit 2021 kishte vlerën 70.6 milionë euro, ndërsa importi 431.8 milionë euro, që është një rritje prej 54.4 për qind për eksport dhe 41.2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas të dhënave grupet kryesore të eksportit përbëjnë: 26.6 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 23.9 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar, 12.5 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.9 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.2 për qind produktet minerale, 3.9 për qind produktet bimore, kurse 3.0 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.7%), Serbia (6.6%), dhe Maqedonia e Veriut (5.1%).