Serbia po vazhdon ta mbajë të fshehur fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Megjithatë, institucionet e Kosovës presin një dinamik më të shtuar në këtë proces, pasi brenda territorit të Kosovës nuk do të ketë informatë ose lokacion që nuk do të ketë gërmime.
Kurse, në Serbi janë tri deri katër lokacione në të cilën vendi ynë po pret përgjigje për të nisur gërmimet.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se në vitin e kaluar, familjarëve u janë dorëzuar eshtrat e 25 personave, derisa është punuar në nëntë lokacione të ndryshme ku edhe janë zhvarrosur dy trupa.
Sipas tij, në tetor të viti 2021, janë varrosur nëntë trupat e martirëve të vrarë në masakrën e Rrezallës të prillit të viti 1999, derisa këtë vit thekson se si komision kanë një dinamik të shtuar për intensifikimin e të gjitha lokacioneve në Kosovë.
“Derisa vazhdojnë të jenë më shumë se 1 mijë e 600 persona të pagjetur, sigurisht që çdo informatë që mund të klasifikohet dhe të vlerësohet si informatë që mund të kontribuojë në proces, duhet të trajtohet me shumë prioritet… Po bëjmë përpjekje që gjatë këtij viti të ketë një dinamik të shtuar në këtë proces”.
“Kryesuesi i komisionit është në komunikim të vazhdueshëm me kolegë të institutit të mjekësisë ligjore dhe institutit për hetime të luftës, por edhe institucionet e tjera kompetente të Republikës së Kosovës, gjykata kompetente që të kemi një dinamik të shtuar në proces ose të intensifikojmë angazhimin e përbashkët që të gjitha lokacionet e mundura të Republikës së Kosovës të trajtohen dhe të procedohen në kuptimin vlerësues”, thotë ai.
Për zbulimin e territoreve të mbetjeve mortore nga lufta e fundit, Gara tha se në shtetin serb janë tri ose katër lokacione në të cilat komisioni veçse kanë dërguar shkresat te partnerët ndërkombëtarë për lejimin e gërmimeve në atë shtet.
Derisa shton se Kosova mbetet shembull për numrin e lokacioneve të cilat janë trajtuar për vetëm një vit.
“Sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, por në këto raste jemi në një komunikim edhe me bashrendim të aktiviteteve të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi që të shtohet presioni dhe trysnia ndaj palës serbe që të kemi sa më parë data për fillimin e gërmimeve për lokacionet e shënuara në territorin e Serbisë”.
“Brenda territorit të Kosovës nuk do të ketë informatë ose lokacion, i cili nuk do të trajtohet në kuptimin gërmimeve, domethënë Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shembull për mënyrën e trajtimit të informatave, për numrin e informatave ose për numrin e lokacioneve që janë trajtuar brenda vitit… Janë të paktën tri apo katër lokacione nëpër të cilat ne tashmë i kemi dorëzuar shkresat zyrtare dhe janë të shënjuara dhe po presim që të kemi një koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, tha Gara.
Gara shtoi se kërkesat e vazhdueshme të tyre ndaj partnerëve ndërkombëtarë janë që të shtohet presioni mbi palën serbe që të kenë datat se kur mund të zhvillohen gërmimet atje.
“Ndërsa për aktivitete e tjera po bëjmë përpjekje, jemi njoftuar që të kemi një dinamik të shtuar në proces dhe në një koordinim të plotë me familjarët e personave të pagjetur që krahas angazhimit institucional të bëhet përpjekje, të ketë një trajtim më të mirë ligjor për familjarët e personave të pagjetur”.
“Për shtetin e Serbisë kërkesat tona janë të vazhdueshme jo vetëm kërkesat por bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm që të shtohet presioni ndaj palës serbe që të kemi sa më parë datat për fillimin e gërmimeve, ndërsa për lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, sigurisht tani me përshtatjen e kushteve të motit do të ketë një agjendë të shtuar për adresimin e informatave tashmë të siguruara të trajtuara paraprakisht, jo vetëm nga komisioni por edhe nga institucionet e tjera kompetente në këtë rast nga instituti i mjekësisë ligjore, sektori i policisë për hetimin e krimeve të luftës, prokuroria speciale e Kosovës dhe gjykatat kompetente”, tha ai për KP.