Kosova ndalon pajisjet kineze në prokurim publik, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare

Kosova ndalon pajisjet kineze në prokurim publik, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka ndaluar miratimin e pajisjeve të telekomunikimit nga Kina, si Huawei dhe ZTE, pasi ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.



KRPP-ja ka udhëzuar bizneset që të mos ofertojnë në prokurim publik me pajisje kineze dhe ruse të teknologjisë.

Në një njoftim në uebfaqen e e-prokurimit, KRPP ka bërë të ditur se pajisjet kineze dhe ruse të teknologjisë si “Huawei” dhe “AO Kaspersky Lab” janë të ndaluara me dispozitat ligjore në fuqi në Kosovë.

KRPP-ja ka thënë se kompanitë të cilat ofertojnë në tenderë me pajisje kineze dhe ruse të teknologjisë do të përjashtohen automatikisht nga konkurrenca.

“Autoritetet Kontraktuese duhet të sigurohen që paisjet, shërbimet dhe prodhuesit e specifikuar nuk i takojnë vendeve (shteteve) për të cilat Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione në import/eksport, ose vendeve, prodhimet, shërbimet dhe furnizimet e të cilave konsiderohen si të pabesueshme nga ndonjëra prej organizatave/vendeve, siç janë: Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO, OECD ose Shoqata Evropiane për Tregëti të Lirë”, thuhet në njoftimin e KRPP-së.

Kompanitë e vendosura në listë të zezë janë: Dahua Technology Company, Hikvision Digital Technology Company, Huawei Technologies Company, AO Kaspersky Lab, ZTE Corporation dhe Hytera Communications Corporation.

Komisioni ka theksuar se gjatë përshkrimit teknik duhet të merret parasysh specifikat që kanë të bëjnë më sigurinë kombëtare të vendit.

Sipas njoftimit, përdorimi i këtyre pajisjeve në institucione publike paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

“Gjatë përshkrimit të specifikimeve teknike për punë, furnizime ose shërbime që kërkohen në fushën e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikimeve, AK-së duhet të ndalojë përshkrime teknike që: a) specifikojnë pajisje, shërbime dhe prodhues të dyshimtë të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikimit; b) paraqesin rrezik për sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën kritike të vendit; dhe c) paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ndalohen prokurimet të cilat referohen në listën e sanksioneve ligjore të caktuara nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, të listuara në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Related Articles