Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pranuar ftesën e Greqisë, që zyrtarisht ta vizitojë këtë shtet, ka konfirmuar për media zyra për informim e këtij institucioni.
Ftesa për vizën e Gërvallës në Athinën zyrtare, u bë përmes udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, të cilës i ka parapri takim i kësaj të fundit me kryeministrin Kurti ditë më parë.
Në atë takim Kurti ka kërkuar nga Alifer, që Greqia t’i bashkohet shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por sipas qëndrimit të Athinës zyrtare, çështja e njohjes varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kohë më parë Ministrja Gërvalla ka thënë se “Kosova është shumë e interesuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”, ndërsa ka shfaqur shpresën se bashkëpunimi do të forcohet dhe do të përmbyllet me njohje nga ana e Greqisë.