Të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri te e 12-ta, nga shtatori i vitit të ardhshëm, kur të ulën në bankat e tyre, do të angazhohen edhe në një lëndë të re.
Për një gjeneratë nxënësish që teknologjia është goxha e preferuar, është marrë vendim që të futet edhe lënda e kodimit.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri i vendit Albin Kurti, i cili në muajin që shkoi njoftoi për këtë vendim.
Pikërisht në muajin e njëjtë, në 22 komuna ishin mbajtur rreth 30 mijë orë kodimi, ku ata që u ulën në banka për të përfituar dije u njohën me parimet e kodimit, përdorimin e kodimit si gjuhë krijuese, të menduarit logjik dhe realizimin e projekteve inovative dhe kreative.
“Integrimi i teknologjisë në arsim përmbush një objektiv kyç në Strategjinë tonë për Arsim dhe Digjitalizim. Ai shënon progres të rëndësishëm drejt të ardhmes së vendit tonë, ku teknologjia ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik”, ishte deklaruar Kurti rreth këtij vendimi.
“Duke e përfshirë kodimin në rutinën ditore shkollore, hapim rrugën për një brez të ri krijuesish, inovatorësh dhe shkencëtarësh nga vendi ynë, të cilët mund të krijojnë dhe eksportojnë produkte dhe shërbime digjitale për tregun global”, shtoi i pari i qeverisë kosovare.
Frikë nga mungesa e kuadrove
Profesori universitar, njohës i arsimit, Xhevat Rexhaj, thotë se vendimi që kodimi të jetë lëndë e re është fort i qëlluar.
Ai për Klankosova.tv tha se në vitin e parë këtë lëndë do ta implementonte si një lëndë zgjedhore.
“Në vitin e parë do të implementoja në formë të lëndës zgjedhore. Pas një vlerësimi dhe pas ngritjes së kapacitetit do të filloja zbatim të përhershëm”, u shpreh Rexhaj.
Por, a është Kosova e gatshme të nisë një rrugëtim të tillë? Profesori Rexhaj druan se një ide e tillë mund të dëmtohet për një arsye.
“Kam pak frikë mungesën e kuadrove. Nëse nuk zbatohet mirë prej fillimit, mund të dëmtojë një ide shumë të mirë. Prandaj, është mirë të bëhet pilotimi, dhe i përcjellë me investime të konsiderueshme në pajisje, mjete mësimore, dhe një ngritje sistematike të kapaciteteve”, shtoi ai.
Sipas Rexhajt, më e rëndësishmja është që krijimi i kapaciteteve të bëhet me rikualifikim dhe riaftësim të personelit ekzistues dhe kurrsesi me punësime të reja.
“Nëse bëhet në mënyrë sistematike dhe të programuar – kjo do të dalë nismë e çmueshme. Në anën tjetër, një zbatim pa përgatitje të duhur do të bëjë më shumë ta humbim hapin me rajonin, Evropën dhe botën në arsim”, theksoi njohësi i arsimit.
Planifikim i mirë që të mos dështojë
Për futjen e kodimit si lëndë të re, njohësja e teknologjisë Arta Shehu-Zaimi tha se arsimi në Kosovë mund të përballet me sfida.
“Arsimi në Kosovë mund të përballet me sfida në implementimin e kodimit që nga klasa e parë, me sfida adekuate si metodologjia e mësimdhënies dhe trajnimi i mësuesve. Megjithatë, me investime dhe përkrahje të duhur, si nga qeveria ashtu edhe nga partnerët privatë, kjo mund të realizohet. Implementimi gradual, duke filluar me koncepte bazë dhe duke u zhvilluar në tema më të avancuara, mund të jetë qasje efektive. Planifikimi i mirë i programit të integrimit të lëndës së kodimit duhet të bëhet mirë. Personalisht besoj që në MASHTI ekziston eksperienca për t’u arritur kjo”, shprehet Shehu-Zaimi.
Njohësja e teknologjisë, për Klankosova.tv tregoi disa platforma të dizajnuara që mund të përdorën për ta bërë më efektiv mësimin e kodimit.
“Përdorimi i platformave të dizajnuara për mosha më të vogla siç është ‘Scratch’, dhe gjuhë programuese të tjera të bazuara në blloqe, dhe mjetet vizuele dhe mjete të tjera të programimit të përshtatshme për fëmijë, mund të bëjnë mësimin më tërheqës dhe efektiv. Gjithashtu, robotika dhe lojërat edukative që përfshijnë kodim janë mënyra të mira për të angazhuar nxënësit”, tha Shehu-Zaimi.
Është i dukshëm fakti që fëmijët e vegjël kanë nevojë që kur janë duke marrë mësim, kjo të bëhet në një mënyrë më tërheqëse për ta.
Ajo tha se për t’u arritur kjo duhet që lënda e kodimit pjesën më të madhe të kohës ta ketë si punë praktike.
“Kodimi është mundësi e hatashme për zhvillimin e aftësive problem-zgjidhëse dhe kjo ndodh vetëm duke vënë nxënësin para kompjuterit. Edhe mësimdhënia duhet të jetë interaktive dhe e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve. Ndërsa, ndërthurja e kodimit me interesa të fëmijëve, si arti dhe shkenca, mund të rrisë angazhimin e tyre”.
Ndër të tjera, Shehu-Zaimi thotë se përmes kësaj lënde, nxënësit do të fitojnë një kuptim bazë të logjikës së programimit, zgjidhjes së problemeve dhe mendimit kritik.
“Aftësitë e tyre në kodim do të varen nga thellësia e programit dhe nga mënyra e mësimdhënies, por përfshirja e kësaj lënde do të ndihmojë në zhvillimin e një mendësie analitike dhe krijuese që është kritike për breza të suksesshëm”.
“Nxënësit do të fitojnë një kuptim bazë të logjikës së programimit, zgjidhjes së problemeve, dhe mendimit kritik. Si një sipërmarrëse në fushën e teknologjisë dhe arsimit, kjo lëvizje mund të jetë thelbësore për të ardhmen e arsimit në Kosovë”, deklaroi mes tjerash njohësja e teknologjisë Arta Shehu-Zaimi.
Se a ka ndonjë plan se si do të zhvillohet kjo lëndë, dhe në rast kur nxënësit angazhohen me detyrë shtëpie, si pritet të arrihet që edhe nxënësit me kushte të rënda ekonomike të kenë mjetet për t’i kryer këto detyra, KlanKosova.tv e ka pyetur Ministrinë e Arsimit.
Ndonëse pyetjet i janë dërguar më 5 dhjetor, përgjigjet deri në publikimin e shkrimit nuk erdhën.
Ndërkaq, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka propozuar, mes disa pikash, edhe digjitalizimin e shkollave.
“Duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës”, tha Akademia në një komunikatë.
Si është gjendja e shkathtësive digjitale në Evropë?
Në vitin 2023, 56% e njerëzve në BE të moshës 16 deri në 74 vjeç kishin të paktën aftësi themelore të përgjithshme digjitale.
Më e larta në Holandë (83%), e ndjekur nga Finlanda (82%) dhe Danimarka (70%).
Përqindja më e ulët u regjistrua në Rumani (28%), e ndjekur nga Bullgaria (36%) dhe Polonia (44%).
Objektivi i vitit 2030 është që 80% e qytetarëve të BE-së të moshës 16-74 vjeç të kenë të paktën aftësi bazë digjitale.